Abdylhadi ABDIU (1940-1985). Inxhinier i Ndërtimtarisë, Profesor Universiteti. Lindi në Tetovë. Shkollimin fillor e kreu në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Studimet i vazhdoi në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Shkupit. Në fillim punoi në Shkup, si pjesë e grupeve të inxhinierëve për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 1963. Në tetor të vitit 1969 zgjidhet bashkëpunëtor në Fakultetin Teknik të Prishtinës. Në janar të vitit 1970 zgjidhet Profesor Asistent për lëndët “Konstruksione Hidroteknike” dhe “Shfrytëzimi i Fuqisë së Ujrave”. Në të njëjtin vit vazhdon studimet postdiplomike në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Beogradit, si bursist i Universitetit të Prishtinës i cili sapo ishte themeluar. Në vitin 1974 zgjedhet Profesor i rregullt për lëndët “Konstruksione Hidroteknike” dhe “Shfrytëzimi i Fuqisë së Ujrave”. Po në këtë vit angazhohet po ashtu në ekipin e profesorëve të Universitetit të Prishtinës për bashkëpunim me Universitetin e Tiranës. Në vitin 1976 ka udhëhequr vizitën studimore të grupit të studentëve në Universitetin e Heidelbergut në Gjermani. Prej vitit 1980 ka udhëhequr Institutin për Kërkime (Seksioni Hidroteknikë) të Fakultetit Teknik të Prishtinës. Ka qenë anëtar i “Shoqatës Jugosllave për Kërkime Hidraulike”. Ka shërbyer si përfaqësues i Kuvendit të Kosovës në Projektin e Sistemit Ibër-Lepenc. Pas një sëmundje të shkurtër ndërron jetë në vitin 1985 në Tetovë.