Fikret Ahmedi

Fikret Ahmedi

Profesor

Nr.kontaktues:

//

Email: //

Fikret AHMEDI (1943-2025) Prof. Dr. Lindi në Preshevë. Shkollimin fillor e përfundoj në vendlindje ndërsa Shkollën e mesme në Normalen e Shkupit. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Lubjanës, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Arkitekturës dhe Gjeodezisë. Menjëherë pas mbarimit të studimeve punësohet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Teknik, Sesioni i Ndërtimtarisë për lëndët “Mekanika e dherave” dhe “Fondamentet”. Studimet e doktoratës i mbaroi në Universitetin e Prishtinës në lëmine e gjeoteknikës, përkatësisht mekanikës së dherave. Nga viti 1998 deri 2001 ishte Dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, ndërsa në kohë të mëhershme ishte prodekan i Fakultetit në dy mandate. Ka qenë anëtar i Shoqatës Jugosllave për Mekanikë të Dherave dhe Fondamente, si dhe anëtar i Shoqatës për Mekanikë të Shkëmbinjve dhe Punëve Nëntokësore. Ka marrë pjesë në simpoziumet e këtyre shoqatave në Split, Zagreb, Sarajevë, dhe në Mitrovicë. Në Simpoziumin e Shoqatës për Mekanikë të Shkëmbinjve dhe Punëve Nëntokësore të mbajtur në Mitrovicë ka qenë anëtar i këshillit organizativ dhe këshillit punues. Gjithashtu ka marrë pjesë me punime në disa simpoziume shkencore me theks të veçantë në aplikimin e veçorive reologjike për analizë të stabilitetit të dherave. Ka udhëhequr përreth tri decenie punën pranë Laboratorit të Gjeomekanikës në Institutin e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Profesori është nderuar me mirënjohje nga komuniteti i arsimit të lartë dhe shkencës në nivel vendi, si mirënjohja për kontribut të veçantë në mesin e disa intelektualëve të paktë me rastin e 50 vjetorit të Universitetit të Prishtinës më shkurt 2020, si dhe me rastin e përvjetorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës më 2005 dhe 2021. Po ashtu vlerësim ka pranuar edhe nga oda e inxhinierëve të Republikës së Kosovës për kontribut në inxhinierinë e ndërtimit në mars 2025.