Punëtori me tregun e punës, institucionet publike të kosovës në fushat e ujërave dhe mjedisit lidhur me programet e studimeve BSc në ujëra dhe Inxhinieri të mjedisit dhe MSc Hidroteknikë të FIN

25 Mars 2026
SHARE

Me datë 25 mars 2026 Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, me mbështetjen e Programit IWRM-K, i bashkë-financuar nga Ambasada Zvicerane dhe Qeveria e Kosovës, organizoi me sukses Punëtorinë për rishikimin e nevojave të sektorit mjedisor/ujë me qëllim të rishikimit të kurrikulave të edukimit në nivelin baçelor dhe master të studimeve, me fokus në zhvillimin e Programit të ri studimor “Inxhinieri e Ujërave dhe Mjedisit”.

Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të institucioneve publike qeveritare nga Ministritë relevante, kompanive rajonale të ujësjellësit, agjensioneve të mjedisit dhe ujërave si dhe ekspertëve të fushave, duke përfshirë stafin akademik, me qëllim analizën, identifikimin e nevojave aktuale dhe të ardhshme të tregut të punës duke shpalosur para tyre draftet e Programeve të Studimeve në BSc në Inxhinieri të Ujërave dhe Mjedisit, me dy specializime – Hidroteknikë dhe Inxhinieri e Mjedisit si dhe MSc Hidroteknikë.  

Qëllimi i punëtorisë së zhvilluar ishte i qartë dhe i mirëpërcaktuar: prezantimi i programeve të studimeve, kurrikulave dhe vizionit tonë akademik, duke u mbështetur njëkohësisht në përvojën, ekspertizën dhe njohuritë e përfaqësuesve të tregut të punës.

Kontributi i tregut të punës është thelbësor për të vlerësuar dhe verifikuar nëse programet tona të studimeve janë në drejtimin e duhur për të përgatitur kuadro profesionale, të afta dhe kompetente, të cilat u përgjigjen nevojave reale të shoqërisë, institucioneve dhe tregut të punës, si në vend ashtu edhe në kontekstin ndërkombëtar.

Gjatë punëtorisë u prezantuan objektivat, struktura, përmbajtja dhe kompetencat e pritshme të programeve të studimeve, ndërsa përmes punës në grupe dhe diskutimeve të hapura u ofruan rekomandime konkrete për avancimin e mëtejmë të përmbajtjes akademike, forcimin e komponentës praktike dhe harmonizimin e programeve me standardet evropiane të arsimit të lartë dhe zhvillimet bashkëkohore profesionale.

Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan se kjo qasje është më se e mirëseardhur dhe i përgjigjet nevojave reale të sektorit. Një theks i veçantë iu kushtua edhe rëndësisë së praktikës profesionale, duke nënvizuar nevojën për përfshirje sa më të madhe të studentëve në kompani dhe institucione gjatë studimeve.

Punëtoria konfirmoi përkushtimin e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit për të zhvilluar programe studimore moderne, cilësore dhe të orientuara drejt nevojave reale të tregut të punës, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet akademisë dhe sektorit profesional për përgatitjen e gjeneratave të reja të specialistëve në fushën e ujit dhe mjedisit.