Me 16 dhjetor 2024, në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës, u zhvillua një takim ndërinstitucional mes përfaqësuesve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ky takim u mbajt me qëllim bashkëpunimin për organizimin e Konferencës Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit – ICCE 2025, një ngjarje e rëndësishme shkencore që pritet të mbahet në fund të vitit 2025.
Pikat Kryesore të Diskutimit
- Qëllimi dhe Vizioni i Konferencës, Përfaqësuesit nga të dy institucionet diskutuan mbi rëndësinë e konferencës si një platformë për të prezantuar risitë shkencore në fushën e inxhinierisë së ndërtimit, për të nxitur shkëmbimin e njohurive midis akademikëve, studiuesve dhe profesionistëve ndërkombëtarë.
- Përcaktimi i Tematikave Kryesore, U vendos që konferenca të fokusohet në tematika bashkëkohore te fushës se inxhinierisë se ndërtimit.
- Ndërkombëtarizimi dhe Pjesëmarrësit, Të dy palët theksuan rëndësinë e përfshirjes së institucioneve akademike dhe kërkimore nga rajoni dhe më gjerë, duke promovuar konferencën në rrjetet ndërkombëtare, si dhe organizata të tjera relevante.
- Përgjegjësitë dhe Organizimi
- Universiteti i Prishtinës: Do të jetë bartës i konferencës së tretë të përbashkët ICCE 2025. ICCE 2025 do të organizohet në Prishtinë, në ambientet e Universitetit të Prishtinës. Përgjegjës për organizimin e aktiviteteve shkencore, përfshirë koordinimin e referimeve dhe menaxhimin e platformës për dorëzimin e punimeve shkencore, organizimin e vendit te konferencës, etj.
- Universiteti Politeknik i Tiranës: Do të mbulojë aspektet logjistike dhe marketingun e ngjarjes, duke përfshirë organizimin e një panairi inovativ të teknologjive të ndërtimit gjatë konferencës.
- Të dy Fakultetet u dakorduan që deri në fund të dhjetorit të formohen sekretariatet e përbashkëta të konferencës, komitetit drejtues, komitetit ndërkombëtar shkencore, dhe organizmat tjera të konferencës.
- ICCE 2025, do të jetë konferencë me karakter ndërkombëtar duke ftuar ligjërues – kumtues të njohur ndërkombëtar të fushave të inxhinierisë së ndërtimit.
- Konferenca do të përmbajë abstraktet – librin e abstrakteve, prezantimet, kumtesat dhe ligjërimet.
- Kalendari i Përgatitjeve, U hartua një plan pune me afate konkrete për:
- Publikimin e thirrjes për punime shkencore në janar 2025.
- Finalizimin e listës së panelistëve kryesorë në maj 2025.
- Mbajtjen e konferencës në (15-17) tetor 2025.
- Rezultatet e Pritshme, Të dy institucionet shprehën besimin se kjo konferencë do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe do të promovojë rolin e rajonit në zhvillimet ndërkombëtare të inxhinierisë së ndërtimit.
Takimi u mbyll me vendimin për organizimin e një takimi tjetër koordinues në muajin janar 2025, për të monitoruar progresin e deritanishëm dhe për të diskutuar detajet shtesë rreth organizimit.