Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti i Prishtinës, mori pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën e 12-të të Përbashkët Ballkanike, të organizuar nga 5 deri më 7 nëntor 2024, në Hotel Emerald në Prishtinë, Kosovë. Tema e këtij viti, "Bashkëpunimi fqinjësor: Promovimi i paqes përmes menaxhimit ndërkufitar të ujërave", nënvizoi rolin jetik të ujit në nxitjen e paqes dhe stabilitetit përtej kufijve. Konferenca, e organizuar bashkërisht nga SHUKOS (Shoqata e Ujësjellës-Kanalizimeve të Kosovës) dhe SHUKALB (Shoqata e Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë), mblodhi së bashku mbi 500 pjesëmarrës, duke përfshirë profesionistë të ujit, politikëbërës dhe udhëheqës të industrisë nga Rajoni i Ballkanit të Madh. Ajo siguroi një platformë të paçmuar për adresimin e çështjeve urgjente të lidhura me ujin, shkëmbimin e njohurive dhe eksplorimin e qasjeve inovative për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit dhe ujërave të zeza në rajonin tonë.
Si pjesë e ngjarjes ishte edhe Forumi i IWA Profesionistëve të Rinj të Ujit (kapitulli i Kosovës), ku liderët e rinj në menaxhimin e ujit u mblodhën për të ndarë idetë, për të fituar njohuri nga ekspertë të sektorit dhe për të diskutuar rrugët për bashkëpunim rajonal. Prof. Ass. Florim Grajçevci, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ishte panelist në sesionin, "Kultivimi i liderëve të ardhshëm në menaxhimin e ujërave", ku ndau njohuri mbi rëndësinë e mentorimit, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkufitar në formësimin e ekspertëve të ardhshëm të sektorit. Dekani shpalosi edhe marrëveshjet dhe bashkëpunimet e shumta të Fakultetit me akterë të sektorit, e gjithashtu edhe prezentoi programet dhe projektet e shumta të fakultetit.
Përveç kësaj, konferenca prezantoi një ekspozitë të madhe të pajisjeve, teknologjisë dhe shërbimeve me kompanitë më të mira nga sektori i ujit që shfaqin zgjidhje dhe avancime të fundit.
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit mbetet i përkushtuar për të mbështetur iniciativa të tilla thelbësore që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin rajonal dhe rritjen profesionale në sektorin e ujit. Ne mezi presim bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerët tanë në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë!