Më datë 6 nëntor 2025, u mbajt takimi i rregullt i Trupës Këshillëdhënëse të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit

07 Nëntor 2025
SHARE

Më datë 6 nëntor 2025, u mbajt takimi i rregullt i Trupës Këshillëdhënëse të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, me pjesëmarrjen e anëtarëve të trupës dhe përfaqësuesve të menaxhmentit të fakultetit. Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe diskutimi konstruktiv për çështje strategjike të zhvillimit akademik dhe kërkimit shkencor në FIN.

Çështjet e diskutuara:

Çështjet organizative rreth programeve të studimeve të FIN

a)            U diskutua për programet e studimeve BSc Gjeodezi dhe MSc MIRU, të cilat do të riakreditohen në vitin 2026. U vendos që Trupa Këshillëdhënëse të delegojë përfaqësues për pjesëmarrje në takimet me ekspertët e jashtëm gjatë procesit të vizitave në institucionet arsimore të larta (IAL).

b)            U trajtuan edhe programet e studimeve BSc Inxhinieri e Ambientit, BSc Hidroteknikë, MSc Konstruktiv, MSc Gjeodezi, dhe MSc Hidroteknikë, të planifikuara për akreditim ose riakreditim në vitin 2027. U propozua delegimi i një anëtari të TK në grupet punuese për hartimin e Raporteve të Vetëvlerësimit (RVV).

Përfshirja e Trupës Këshillëdhënëse në komponentën e hulumtimeve shkencore
U theksua rëndësia e bashkëpunimit me sektorin profesional dhe privat për të identifikuar dhe shfrytëzuar potencialet e FIN në ofrimin e ekspertizave në fusha të ndryshme të inxhinierisë së ndërtimit.

Hartimi i Strategjisë së Zhvillimit dhe Strategjisë së Hulumtimeve për periudhën e ardhshme 5-vjeçare të FIN. Trupa Këshillëdhënëse u pajtua për të deleguar dy anëtarë në grupin punues që do të angazhohet në hartimin e këtyre dokumenteve strategjike, me synim përcaktimin e objektivave afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të fakultetit.

Organizimi dhe zhvillimi i ligjëratave të hapura në FIN, planifikimi i një kalendari 6-mujor për organizimin e ligjëratave të hapura me pjesëmarrje të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, me synim forcimin e lidhjes së fakultetit me industrinë dhe botën akademike.

Në fund të takimit u shkëmbyen ide dhe propozime për aktivitete shtesë që mund të kontribuojnë në rritjen e dukshmërisë dhe performancës akademike të fakultetit, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët institucionalë.