
Sot kremtojmë Ditën e Studentëve, duke nderuar energjinë, idealet dhe përkushtimin e brezave të rinj që mbajnë mbi supet e tyre barrën dhe shpresën e së ardhmes.
Studenti nuk është thjesht nxënës i diturisë, por udhëtar i përhershëm në rrugën e dijes, bartës i ndryshimit dhe krijues i vizioneve të reja. Ai është forca që i jep kuptim universitetit, është drita që ndriçon rrugën e shoqërisë drejt zhvillimit, dhe është ura që lidh të tashmen me të ardhmen.
Në këtë ditë, Universiteti i Prishtinës u shpreh studentëve mirënjohjen dhe besimin se përmes dijes, punës dhe kurajës së tyre, do të ndërtojnë një shoqëri më të drejtë, më të ditur dhe më humane.
Urime të gjithë studentëve tanë – krenaria dhe e ardhmja e Kosovës!
Për nder të Ditës së Studentëve, Universiteti i Prishtinës ndau mirënjohjen “Student i Dalluar”, duke i nderuar me çmimin prestigjioz “Hasan Prishtina” studentet e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit:
- Ylberina Balliu
- Yllka Thaçi
Ky vlerësim është shenjë e përkushtimit, punës dhe suksesit të arritur, si dhe dëshmi e rolit të studentëve tanë në ndërtimin e së ardhmes akademike dhe profesionale të vendit.
