Të nderuar/a kolegë/e,
Në një kohë kur e ardhmja profesionale po riformësohet më shpejt se kurrë më parë dhe teknologjia po sfidon mënyrën se si mësojmë, punojmë dhe ndërtojmë karrierën tonë, orientimi i duhur bëhet më i rëndësishëm se kurrë.
Ju njoftojmë se sot është publikuar numri i pestë i revistës „Karriera”, botim i Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, e dedikuar informimit, orientimit dhe këshillimit praktik të studentëve dhe të diplomuarve në rrugëtimin e tyre drejt tregut të punës.
Revista „Karriera” synon të jetë një udhërrëfyes i besueshëm për ndërtimin e karrierës profesionale, duke ofruar informacione mbi punësimin, kërkesat reale të tregut të punës dhe trendët bashkëkohorë të zhvillimit të profesioneve.
Numri i pestë, i publikuar në dhjetor 2025, i kushton vëmendje të veçantë inteligjencës artificiale, duke trajtuar rolin, rëndësinë dhe sfidat që kjo teknologji sjell për profesionet e së ardhmes, tregun e punës dhe zhvillimin e aftësive të reja profesionale. Përmes artikujve tematikë, ky edicion fton lexuesin të reflektojë, të informohet dhe të përgatitet për ndryshimet që tashmë po ndodhin.
Përveç temës qendrore mbi inteligjencën artificiale, revista përmban edhe shkrime që lidhen me punësimin, punëdhënësit dhe mundësitë konkrete profesionale për të rinjtë, duke e bërë atë një burim të vlefshëm për secilin që mendon seriozisht për të ardhmen e tij profesionale.
Siç është bërë traditë, edhe ky numër hapet me një fjalë hyrëse nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, ku theksohet rëndësia e përgatitjes profesionale dhe roli i universitetit si urë lidhëse ndërmjet arsimit dhe tregut të punës.
Revista „Karriera” Nr. 5 përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet e Universitetit të Prishtinës për të fuqizuar studentët dhe të diplomuarit me njohuri, orientim dhe mjete praktike për një integrim sa më të suksesshëm në tregun e punës.
Revistën e plotë mund ta lexoni në vegëzën më poshtë:
https://uni-pr.edu/desk/inc/media/23323462-FFBB-4035-A0F1-061D556FC52A.pdf
Ju ftojmë ta lexoni dhe ta shfrytëzoni këtë botim si një hap reflektimi dhe përgatitjeje për të ardhmen që po ndërtohet sot.
