Ftesë për Maturantët e Kosovës
Eja dhe bëhu pjesë e gjeneratës që mbron mjedisin dhe ndërton një të ardhme më të gjelbër për Kosovën!
Sfidat mjedisore janë ndër çështjet më të rëndësishme të kohës sonë. Ndryshimet klimatike, menaxhimi i mbetjeve, mbrojtja e burimeve ujore, cilësia e ajrit dhe zhvillimi i qëndrueshëm kërkojnë profesionistë të përgatitur, kreativë dhe të përkushtuar.
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës ju fton të bëheni pjesë e programit të studimeve BSc Inxhinieri e Ambientit, një program modern që përgatit profesionistët e së ardhmes për mbrojtjen dhe menaxhimin e mjedisit.
Gjatë studimeve do të fitoni njohuri të avancuara në fushën e inxhinierisë mjedisore, menaxhimit të mbetjeve, trajtimit të ujërave të ndotura, mbrojtjes së ajrit, vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Këto njohuri do t'i përfitoni nga profesorë me potencial të lartë akademik dhe profesional, përmes laboratorëve modernë, aktiviteteve praktike, punës në terren dhe projekteve reale.
Në një botë që përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha mjedisore, inxhinierët e ambientit janë profesionistët që kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës, mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
- Sot maturant – nesër inxhinier i ambientit!
- Bëhu pjesë e gjeneratës që krijon zgjidhje për një mjedis më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
- Zgjidh Inxhinierinë e Ambientit – zgjidh një profesion me mision dhe ndikim për të ardhmen.
E ardhmja e mjedisit fillon me dijen, ndërsa dija fillon në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.
