Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të lëndës Teknologjia e Betonit, më datë 04.06.2026 realizuan një vizitë studimore në betonierën Titan Beton.
Vizita u realizua nën organizimin dhe administrimin e prof. Naser Kabashi, me qëllim të lidhjes së njohurive teorike me praktikën profesionale në fushën e teknologjisë së prodhimit të betonit.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset e prodhimit, transportit dhe kontrollit të cilësisë së betonit të gatshëm, si dhe me pajisjet dhe procedurat që aplikohen në një impiant bashkëkohor të prodhimit të betonit. Përmes shpjegimeve të ofruara nga përfaqësuesit e betonierës, studentët u informuan mbi përzgjedhjen e materialeve përbërëse, dozimin e betonit, rëndësinë e kontrollit laboratorik dhe ndikimin e cilësisë së betonit në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e objekteve ndërtimore.
Kjo vizitë studimore përbën një pjesë të rëndësishme të procesit mësimor, pasi u mundëson studentëve të kuptojnë më mirë aplikimin praktik të koncepteve të trajtuara në lëndën Teknologjia e Betonit dhe të njihen me sfidat reale të prodhimit të betonit në industrinë e ndërtimit.
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit shpreh mirënjohjen për menaxhmentin dhe stafin e Titan Beton për mikpritjen, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën profesionale me studentët.
Prishtinë, Qershor 2026




