Në kuadër të aktiviteteve mësimore dhe praktike të lëndës Materialet e Ndërtimit I, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” realizuan një vizitë studimore në ambientet prodhuese të Tekno Konstrukt.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset industriale të prodhimit të materialeve ndërtimore, teknologjitë moderne të përpunimit, sistemet e kontrollit të cilësisë, si dhe masat e sigurisë dhe shëndetit në punë që aplikohen në industrinë bashkëkohore të ndërtimit.
Përmes prezantimeve profesionale dhe diskutimeve me stafin teknik të kompanisë, studentët u informuan mbi karakteristikat teknike të materialeve, proceset e prodhimit, standardet e cilësisë dhe rëndësinë e tyre në projektimin dhe realizimin e objekteve ndërtimore. Vizita u shoqërua me një prezantim të detajuar të linjave prodhuese dhe infrastrukturës industriale të kompanisë, duke ofruar një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet njohurive teorike të fituara në auditor dhe praktikës profesionale.
Aktivitete të tilla përbëjnë një komponent të rëndësishëm të procesit mësimor, pasi u mundësojnë studentëve të vëzhgojnë nga afër aplikimin praktik të koncepteve të trajtuara në lëndë dhe të njihen me sfidat reale të industrisë së ndërtimit.
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit shpreh mirënjohjen e tij për menaxhmentin dhe stafin e kompanisë Tekno Konstrukt për mikpritjen, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën e tyre profesionale me studentët tanë.
Prishtinë, Qershor 2026



