Hidroteknikë

Departamenti i Hidroteknikës është një nga njësitë kryesore akademike të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, që ofron programe studimore të nivelit Baçelor (BSc) dhe Master (MSc).

Programet tona janë të ndërtuara mbi parimet e edukimit bashkëkohor, të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës dhe sfidat aktuale në menaxhimin e resurseve ujore. Studentët pajisen me njohuri të thella teorike dhe aftësi praktike për të zgjidhur probleme komplekse në sektorin e ujërave, përmes metodave moderne dhe qasjeve ndërdisiplinare.

Nga viti 2023, Departamenti ofron programin Master në Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore (MIRU), i cili zhvillohet në gjuhën angleze. Ky program mbështetet nga Qeveria Zvicerane, duke synuar përgatitjen e profesionistëve të aftë për të adresuar sfidat globale në menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve ujore.

Departamenti i Hidroteknikës është i angazhuar në bashkëpunime të gjera ndërkombëtare me Universitete të njohura dhe Institucione kërkimore në gjithë Evropën. Këto bashkëpunime përfshijnë:

  • Shkëmbime akademike për studentë dhe staf
  • Projekte të përbashkëta kërkimore
  • Rrjetëzim profesional dhe trajnime ndërkombëtare

Përmes mësimdhënies cilësore, hulumtimeve shkencore dhe angazhimit të drejtpërdrejtë me sektorin publik dhe privat, Departamenti i Hidroteknikës synon të kontribojë në zhvillimin e qëndrueshëm të resurseve ujore dhe në përgatitjen e kuadrove profesionale me ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri.