Të nderuar kolegë, të dashur miq dhe Studentë, mirëserdhët në platformën elektronike të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Prishtinës është institucioni më i vjetër dhe më i madhi në fushat e Inxhinierisë së Ndërtimit në vendin tonë. Fakulteti jonë ka traditë të pasur të aktiviteteve të saja duke numëruar punën që nga fillimi i themelimit në 1961.
Ky prezantim dhe kjo faqe elektronike është e menduar që të ofroj informata të rëndësishme lidhur me aktivitetet dhe jetën akademike dhe studentore të Fakultetit tonë. Aktivitetet e rëndomta të Fakultetit prezantohen përmes aktiviteteve mësimore, shërbimeve studentore, oraret mësimore, oraret e provimeve etj. Organet kolegjiale të Fakultetit, personeli akademik, personeli administrativ dhe mundësia e kontakteve direkte janë të shfaqura në informata. Jeta studentore, aktivitetet e studentëve, këshilli studentor janë pjesë përbërëse e Fakultetit.
Inxhinierët të cilët kanë përfunduar studimet në Fakultetin tonë numërojnë të arriturat në projektime, ndërtime të objekteve të shumëllojshme si dhe realizimin e shumë veprave inxhinierike. Janë shumë shërbime të cilat Inxhinierët janë në gjendje të i ofrojnë për tregun e punës sikur, udhëheqjet e punëve inxhinierike, mbikëqyrjet profesionale, vlerësime të ndryshme të projekteve përkatësisht të objekteve si dhe punë të tjera që lidhen me profesionin. Shumë nga kuadrat tona janë pjesë e kompanive me renome në rajon dhe Botë si dhe në institucione, përkatësisht Universitete të njohura arsimore.
Studentët i porosisë që studimet e shkencave të inxhinierisë teknike – të ndërtimit, strukturave, hidroteknikës, gjeodezisë, inxhinierisë së mjedisit të cilat zhvillohen në Fakultetin tonë janë me peshë dhe voluminoze, prandaj studimet në programet tona kërkojnë angazhim dhe punë të pa ndërprerë, përcjellje të rregullt të mësimit, ushtrimeve dhe ushtrimeve laboratorike të cilat janë të detyruara. Motoja “Studenti në qendër të vëmendjes” do të shërbej për personelin akademik dhe administrativ që fokusimi për Studentët të jetë në maksimum në shërbime të shpejta, në mësimdhënie të avancuar, lehtësimin e procedurave administrative ndërsa fokusi kryesor është te mësimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm.
Prof.ass.Dr. Florim Grajçevci