Historiku i Fakultetit

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit është njësi Akademike e Universitetit të Prishtinës. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit trashëgon një histori të sajë të numëruar në dekadën e shtatë dhe njihet si institucioni fillestar i shkencave teknike në vendin tonë.

Themelet e studimeve nga fusha e shkencave teknike, përkatësisht Ndërtimtarisë, u vunë me hapjen e Shkollës së Lartë Teknike të Prishtinës, më 20 tetor 1961 me mësim në tre drejtime teknike të Ndërtimtarisë, Elektroteknikës dhe Makinerisë. Pas katër viteve të suksesshme  pune të kësaj shkolle, filluan procedurat për hapjen e Fakultetit Teknik të Prishtinës duke konsideruar si kërkesë e kohës, meqë ndiheshin nevoja të mëdha për shkollimin e kuadrove të profileve të ndryshme teknike për vendin.

Data 9 nëntor 1965 numërohet si ditë e hapjes së Fakulteti Teknik, me departamentin e Ndërtimtarisë, derisa mësimi filloi më 10 dhjetor 1965 me gjithsej 138 studentë, me staf akademik me pesë ligjërues dhe pesë asistentë dhe zhvillohej në dy salla mësimi me nga 40 ulëse dhe në një amfiteatër me 202 ulëse.

Pleqësia e Fakultetit Teknik në datë 30 tetor 1967 morri vendim që të hapeshin edhe dy seksionet; Makineri dhe Elektroteknikë. Ndërsa për hapjen e seksionit të Arkitekturës stafi akademik i Fakultetit Teknik morri vendim në 12 maj 1977 derisa mësimi u organizua dhe në vitin akademik 1978/79.

Në vitin 1979, Fakulteti Teknik përbëhej nga tri Organizata themelore të punës së bashkuar (OTHPB) me Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe arkitekturës, Fakultetin e Makinerisë dhe Fakultetin e Elektroteknikës. Nga viti 1988 deri në 1998 Fakulteti Teknik, sikur edhe shumë institucione tjera në vend ballafaqohen me përplasje të mëdha të pushtetit hegjemonist Serb, duke përjashtuar personelin akademik nga puna, duke uzurpuar ambientet e mësimit dhe objekteve, të detyruar të vetorganizohej mësimi në ambiente të improvizuar nëpër objektet e banimit të qytetarëve deri në çlirimin e vendit në vitin 1999.

Pas vitit 1999, Fakulteti Teknik shpërndahen në tri njësi kryesore akademike të formuara si Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanik dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektronike dhe Kompjuterike.

Në vitin 2019, formohen Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakulteti i Arkitekturë me funksion të pavarur nga njëra tjetra.

Fillimet e punës së Fakultetit karakterizohen me vështirësitë e gjetjes së stafit akademik dhe sidomos atij në gjuhën shqipe. Vitet e 70-ta njihen si vitet e krijimit të kuadrove të nevojshme për proceset mësimore të institucioneve arsimore në vend. Mësimi zhvillohej kryesisht në gjuhën kroato-serbe derisa ushtrimet në disa lëndë mbaheshin në gjuhën shqipe. Në fillimet e punës së Fakultetit, mungesa e stafit akademik kompensohej nga stafi akademik i Fakulteteve që vinin nga Sarajeva, Beogradi, Nishi dhe Shkupi. Në vitet e 71-73 kuadri shqiptar i diplomuar në Universitetet e ish Jugosllavisë me marrëveshje me Universitetet nga Shqipëria arritën të krijonin kuadro të përgatitura për nevojat e mësimdhënës shkencore dhe akademike.

Në fillimet e punës së institucionit, infrastruktura e objekteve ishte me kapacitete të vogla dhe të trashëguara nga kezarmat ushtarake të cilat u adaptuan për nevojat e mbajtjes së mësimit. Me kalimin e kohës u ndërtuan edhe objekte shtesë si dhe mbindërtime të objekteve ekzistuese me qëllim rritjen e kapaciteteve të studentëve dhe të institucionit. Përparim i Fakuletit Teknik konsiderohet ndërtimi i objektit të ri dhe fillimi i punës në këtë objekt në vitin 1982, në lokacionin e sotshëm derisa Arkitektura mbetet në objektet e Fakultetit Teknik në qendër të qytetit ku gjendet edhe sot.

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit duke filluar nga vitet e fillimit të sajë konsiderohet si lider në vendin tonë për arsimimin dhe edukimin e brezave të cilët i shërbyen dhe i shërbejnë nevojave të vendit. Krijimi i kuadrove të reja me tituj shkencore dhe akademik krijon një qëndrueshmëri konstante për funksionim të pa penguar. Janë me breza të shumtë të inxhinierëve të Ndërtimit të cilët gjetën veten në projektet dhe objektet e ndërtimit jo vetëm në vendin tonë mirëpo edhe në gjithë Botën, në SHBA, Canada, Europë si dhe vende tjera.

Programet e Studimeve të Fakultetit u reformuan dhe reformohen duke përcjellë trendët e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë në nivel botëror, kërkesave të tregut vendor dhe Europian. Nga viti 2002 programet e studimeve organizohen sipas deklaratës së Bolonjës dhe Fakulteti organizon dhe zhvillon programet e studimeve të ciklit të studimeve themelore Bacelor dhe Master.

Sot, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit organizon dhe zhvillon programe të studimeve në BSc dhe Msc Konstruktiv, BSc dhe MSc Hidrotknikë, BSc dhe MSc Gjeodezi dhe BSc Inxhinieri e Mjedisit, me numër të studentëve prej rreth 4000. Të gjitha programet e studimeve të akredituara dhe bashkëkohore.

Janë Departamentet: Konstruksione, Hidroteknikë, Gjeodezi dhe Inxhinieri e Mjedisit pjesë përbërëse e Fakultetit. Janë Laboratorët e materialeve ndërtimore, asfaltit, gjeomekanikës, hidroteknikës, gjeodezisë dhe Inxhinierisë së mjedisit si përbërje e institutit të Fakultetit.